ATY KU DIELLIT I ZIHET FRYMA NGA NDERTIMET PA LEJE
- Fokus nga Robert Papa
- Mar 1
- 2 min read
-Boll më, o të pangopur! Ju, që keni bërë pakt me djallin vetëm për të shtuar pasuritë pa djersën e ballit!-

Nga Esma Hoti
Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vite nga shpërbërja e drejtësisë, rutina e vjedhjeve është bërë aq normale sa nuk të shqetëson më as në vendet e relaksit. Përkundrazi… edhe ato janë kthyer në shënjestër, sepse, në fund të fundit: Ç’të kapim, të kapim! Një nga shembujt më të qartë të kësaj është Kompleksi “Diell” në Qerret, i cili reklamohet me krenari si një nga më të bukurit e bregdetit. Dhe në fakt, është i preferuar… Por “më i bukuri”? Çfarë do të thotë vallë kjo? Fshihet pas këtij titulli e vërteta? Në cilin aspekt është më i bukuri? Këtë pyetje e kam bërë prej tre vitesh! Dhe sa më shumë kërkoj, aq më shumë abuzime zbuloj.Pikërisht këtu kanë prona deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra, presidentë e ish-presidentë, madje edhe prokurorë e gjyqtarë të niveleve më të larta! Por mes tyre ka edhe njerëz të thjeshtë – ata që u tregohet vendi nëse nuk bëjnë siç duhet, nëse nuk mbyllin sytë e gojën për të mos parë ndërtimet pa leje apo tokat e uzurpuara përreth pronave të të pushtetshmëve. Përndryshe, ata kthehen befas në të akuzuar! E as që bëhet fjalë të kërkosh llogari për milionat e paguara për administrimin. Kush pyet? Të gjithë qeshin me ironi, sepse në këtë vend gjithçka funksionon sipas radhës dhe fuqisë! A thua është ngritur dikush kundër këtyre shkeljeve? Pse të ngrihet? Ju, o popull i mjere, jeni mësuar të mos ngrini zërin kundër padrejtësive. Jeni mësuar të verbëroheni me qëllim, të bëheni memecë me qëllim, shurdhë me qëllim! Nuk mund ta besoj që këtu, ku ndodhen intelektualë të lartë, nuk gjendet as edhe një zë për të thënë: “Ku është drejtësia? Ku është kufiri?” Por kufiri është zhdukur kudo – në çdo centimetër, në çdo kilometër të kësaj Shqipërie të shkretë, të copëtuar, të masakruar, të shpërdoruar, të përdhunuar…
Dhe kjo duket edhe në këtë copëz të vogël të saj, në Qerret! E fundit pyetje që më mundon: Çfarë roli kanë bordet e këtyre komplekseve? Po ç’të bëjnë të “shkretët”?! Ashtu si shumica, nga Konispoli në Vermosh, ndjekin të njëjtën rrugë! Po administratori? Ai, si gjithë të tjerët, përfiton nga fakti që “peshku qelbet nga koka” – e bishti nuk vërehet nga askush! Dhe kur e shoh diellin të lindë mbi Adriatik, gjithmonë lutem: Ndoshta do të vijë dita kur do të lindë edhe drejtësia… e vërteta! Kjo është beteja ime për t’ju thënë: Boll më, o të pangopur! Ju, që keni bërë pakt me djallin vetëm për të shtuar pasuritë pa djersën e ballit!
Comments