DRITËHIJET E NJË VIZITE NË AMERIKË

bobi
Nga bobi April 17, 2016 14:32

DRITËHIJET E NJË VIZITE NË AMERIKË

sali-berisha-xhorxh-bush

kreshnik osmani

Nga Kreshnik Osmani

Në Shqipërinë tënde dhe timen përben lajm një vizë amerikane dhe padyshim që një vizitë në Shtëpinë e Bardhë do t’ua bënte njerëzve mishin kokërr. Të bardhë, të zinj, socialistë, demokratë, ballistë, të gjelbër, nazistë, të punësuar, të pabukë, të uritur, të etur, me drita, pa drita në shtëpi, krenarë, seriozë, hutaqë, brekëgrisur, fisnikë, zorraxhinj, të ndershëm, maskarenj, të drejtë, servilë, mashtrues e legenë, besimtarë e ateistë, ata që dinë anglisht dhe ata që nuk dinë, kanë stampuar lumturinë e tyre tek vizita e kryeministrit me forma nga më të larmishmet.

10% e popullatës ka aplikuar në llotarinë amerikane dhe pret përgjigjen për t’u arratisur dhe për të nisur jetën në tokën e premtuar. Stafi kryeministror dhe orkestra e mediave të pushtetit kanë mundur t’i transmetojnë me sukses drithërimat e “muxhahidit” Rama dhe perjetimet e epshit më të madh politik të karrierës së tij, në kohë reale. Nuk ka dyshim se piku i “gjendjes orgazmike” të një karriere politike në epokën që jetojmë është takimi me presidentin e botës në Zyrën Ovale.

Le të zbresim me këmbë në tokë dhe t’i fusim këmbët në ujë të ftohtë për të ngacmuar ftohje. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit rreth Shqipërisë i lexuar prej Sekretarit Kerry është më i freskët se fiqtë e Erionit. Aty, ndër të tjera thuhet tekstualisht:

Korrupsioni ka zaptuar çdo segment të Shtetit. Arsimi, drejtësia, shëndetësia dhe të gjithë sektorët jetikë të vendit janë të krimbur prej korrupsionit“.

Ateherë zotërinj, a mund të na tregoni për cilat suksese dhe reforma të arritura ju ka përshëndetur Presidenti Obama?!

Ju ka mbështetur për trëqindmijë vende pune që hapët?! Ju ka përshëndetur për rritjen e cilësisë së orëve të gjyqtarëve?! Ju ka përshëndetur për taksën progresiste?! Apo për klimën e biznesit për investitorët e huaj?! Apo për të ardhurat në tatime e dogana?! Apo për deflacionin?! Apo ju ka përshëndetur për atë gruan nga Fieri që do të shesë veshkën për të ushqyer fëmijët?! Apo ju përshëndeti për mbushjen e parlamentit me banditë e kriminelë?! Apo ju përshëndeti për rritjen e rrogave dhe të pensioneve?! Apo për biznesin gjerman që vlerëson Shqipërinë si vendin më të papërshtatshëm për të bërë biznes?! Apo ju ka përshëndetur për referendumin e fundit dhe ne nuk dimë gjë?! Apo ju ka përshëndetur për nismën e Erionit për të mos i lënë qentë rrugaçë të kryeqytetit të lëvizin pa brekë?! Mos ju ka përshëndetur për burgosjen e terroristëve që nuk kanë para të paguajnë dritat?! Apo për shëndetësinë falas?!

Nuk ka dyshim se respekti i treguar ndaj delegacionit të lartë shtetëror shqiptar është respekt i Administratës Amerikane për besnikërinë e popullit shqiptar, si strategu dhe gardiani kryesor i marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve. Asnjë kryeministër dhe asnjë president shqiptar nuk do të mund të mbronte këto marrëdhënie pa vullnetin e shqiptarëve. Politikanët dhe krerët e shteteve janë të përkohshëm, ndërsa popujt mbeten.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interesat e tyre në rajon dhe përshendetja e rolit të Shqipërisë si lojtar i rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit është përshëndetje e tyre drejtuar vetvetes, pasi ky rol strategjik i Shqipërisë në rajon është investim 100% amerikan. Po të lihej në duart e politikanëve tanë, do ta kishin dhënë Shqipërinë me gjithë shqiptarët me koncension.

I vetmi vlerësim që keni mundur të shkëpusni prej Presidentit Obama është se Shqipëria është një pikë reference në Ballkan. Ky nuk është kontribut i juaji, zoti kryeministër, por investim i pastër amerikan.

Respekt amerikan për delegacionin shqiptar si respekt për përfaqësuesit e një populli aleat dhe vlerësim për rolin e Shqipërisë në rajon si vlerësim për vetveten. Po ti ku je këtu?!

Nga ana tjeter, Shtëpia e Bardhë nuk mund të shërbejë për të lëshuar kërcënime brenda oborrit të korruptuar politik të Shqipërisë, as për aleatin tënd dhe as për aleatin “rezervë” të aleatit, që nuk pranojnë të firmosin Reformën në Drejtësi nga “frika prej burgut”.

Në këtë vend nuk janë disa engjëj dhe disa të tjerë djaj.

Ju jeni për në burg të gjithë. Të gjithë keni vjedhur. Lëkurën ia keni rrjepur këtij populli.

Si u bëre miliarder ti?! Te ra telebingo e Arditit apo llotaria amerikane?!

Leri këto pqrralla se nuk i ha njeri. Kthehu në vendin tënd dhe “energjitë” me të cilat të furnizoi presidenti amerikan shpenzoi për të bërë një punë të bardhë për vendin tënd dhe për popullin tënd fatzi. Me fryrje false, me përjetime jashtë realitetit dhe me këmbë në ajer, rri atje më mirë, hiç mos u kthe, bëj piktura dhe luaj basketboll.

Vetëm ti mund ta bësh mavi-në për tre vite zi.

Nuk të ka njeri inat, as zili. As objekt i urrejtjes nuk je.

Njerëzit urrejnë instiktivisht të gjithë ata që ua helmojnë jetën. Të gjithë ata që e errësojnë Shqipërinë.

Ty të gjuajnë me vezë dhe mërzitesh. Çfarë duhet të bëjë një popull që ka 25 vite që gjuhet me gurë në kokë si të ishte qen rrugaç?! Ç’duhet te bëjë një popull që jetën ia keni nxi….?!

bobi
Nga bobi April 17, 2016 14:32
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*