Një vepër për At Fishtën – profetin e rrallë e të çmuar të shqiptarizmit..

bobi
Nga bobi March 8, 2016 11:38

Një vepër për At Fishtën – profetin e rrallë e të çmuar të shqiptarizmit..

Një vepër për At Fishtën – profetin e rrallë e të çmuar të shqiptarizmit...

Shkruan: Tefik Selimi
Një vepër për At Fishtën - profetin e rrallë e të çmuar të shqiptarizmit...
largea_35372c85-49d0-45fa-83cc-d8188a756da91457271359

Sabri M. Novosella: “At Fishta profet i shqiptarizmës”, Prishtinë, 2015, f.272.

Sabri M. Novosella është njëri nga personalitetet e rralla në jetën e shkrimeve publicistike. Ai çdo ditë po tregohet i gatshëm të “luftojë” me të këqinjat e kësaj kohe apo edhe të një kohe të kaluar, por jo aq të largët. Për këto “ngjarje”, që flet e shkruan Sabri M. Novosella jo vetëm librat e tij, por edhe argumentet e plota e të fuqishme e bëjnë këtë autorin të jetë një figurë dhe emër i përveçëm i publicistikës shqiptare tek ne.

Ky publicist yni nuk është i panjohur për lexuesin e sotëm në Kosovë e në Shqipëri. Ai me shkrimet dhe me librat e tij, që i ka shkruar afro 20 sosh, po tregon e po “rrëfen” qartë se populli ynë ka nevojë për analiza e shkrime të mprehta e dokumentare për lexuesin e zellshëm. Siç dihet, Sabri M. Novosella, gjatë 20 vjetëve, sa ishte duke jetuar në emigracion, si i përndjekur politik, qëndroi i papërkulur përballë aktiviteteve të “Pranverave të mëdha” (demonstratave) të punëtorëve shqiptarë në tërë Evropën, e veçanërisht në Turqi, në mbështje të Kosovës dhe të çështjes Kombëtare, në përgjithësi. Ai gati tërë jetën ia kushtoi atdhetarizmit. Pos aktivitetit të tij politik, ai më vonë është angazhuar në vazhdimësi me shkrime, vështrime e analiza të thukta që ua bënte ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme të kohës. Jo vetëm kjo. Sabri M. Novosella është njeri fjalë pak e punë shumë. Ai është njeri modest, zë ëmbël, sy pishë, mendjehollë, por është edhe vrojtues i thellë i ngajrjeve. Njeri që ia kap fort mendja e logjika.

Ai jetoi në Kosovë, por jetoi edhe në botën e jashtme. Njerëzit e mëdhenj gjithnjë janë në lëvizje. Lëvizin sikur Naimi ynë i madh që veproi në Stamboll, por edhe sikur Vaso Pasha që jetoi në Bejrut të Libanit. Edhe ky jetoi në Turqi e vende tjera. Ky, sot, mund të vlerësohet si një Rilindas i shekullit XXI, i cili, duke parë “gjendjen” e popullit dhe vendin të lënguar nga pushtuesit, u largua jo me dëshirë, por si i përndjekur politik. Jo vetëm kaq. Sabri M. Novosella është autor i mëse 20 veprave publicistike dokumentare. Veprimtaria e tij ngërthen në vete një bagazh dijesh më të ndryshme të jetës politike, historike e kulturore.

Ky publicist i ditëve tona po shkruan për tema të “nxehta”, të cilat po debatohen e po priten me mjaft interesim nga njerëz të këtij vendi. Gjer më sot ka botuar këto vepra publicistike e dokumentare, si janë: “Një komb shqiptar – Një shtet shqiptar”- Prishtinë, (2010), “Drejt shtetit shqiptar në kufijtë kombëtar”- Prishtinë, (2010), “Kuvendet, Mbledhjet Kombëtare 1941-1946 dhe mbledhjet e shqiptar-komunistëve, në bashkëpunim me serbo-malazez në Bujan, Prishtinë, (2010), “Marrëveshtja”, Prishtinë, 2011, “Kuvendi i Taksimit dhe Luftërat çlirimtare shqiptare 1912-1998, 1999, Prishtinë, (20011), “Konspiracioni antishqiptar sllavo-grek”, Prishtinë, (2011) e disa të tjera. Por, kësaj here po e veçoj veprën e botuar më të frikshme të tij me titull: “At Fishta – profet i shqiptarizmës”. Kjo vepër është e botuar në vitin 2015. Ajo që më nxiti të shkruaj pak për këtë publicist e për veprën në fjalë, është fakti se, sa herë jami takuar me autorin e veprës, z. Sabri M. Novosella, ai vargjet e At Fishtës të Lahutës së Malësicë” i recitonte me shije e me ndijesi shpirtërore. Më dukej se kah i recitonte vargjet, po “bisedon” me At Fishtën e madh.

E “imitonte” atë me zë tingëllues, sikur të ishte në prani të krijuesit madhor, At Fishta. E bënte këtë “mundësi” që ta rikujtonte sa më shumë veprën e tij madhore “Lahutën…”. Vargjet epike të Fishtës, Sabri M. Novosella i komentonte e i vlerësonte aty-për aty. Zëri i tij të lënte përshtypjen se e ke para Profetin e Shqiptarizmit, At Fishtën, poetin dhe atdhetarin e madh të kombit shqiptar. Sabriu herë herë shtonte se, At Fishtën e ka në përqejf dhe vargjet e veprës së tij i janë ngulmuar fort në shpirtin tij të zjarrtë e të ndjeshëm. “Shihni, thoshte ai, – unë kam botuar veprën “At Fishta profet i shqiptarizmit”. – Po dua ta ngre zërin aty ku dëshiroj të ishte Fishta i madh, pasi e meriton të jetë i tillë. Jam munduar ta komentoj dhe ta pasqyroj atë kohë sikur ai e ka ndjerë e parë në vete”. Kur fliste për historinë shqiptare, Sabriu thoshte se ajo është nëpërkëmbur tejmase. Historia duhet të shkruhet me argumente e fakte. Ajo që është shkruar duhet t’mos shkojë në dëm të shqiptarëve. Dhe, jo vetëm kaq.

Sabri M. Novosella, që në fillim të kësaj vepre, shton edhe këtë: “Heret, që në fëmijëri, i kam mësuar vargjet e të madhit At Gjergj Fishta. Më së pari i kam dëgjuar prej babait e shumë burrave, që edhe pse (ata) nuk e dinin shkrim e këndim shqip, ndalur dhe dënuar rreptësisht nga sundimtarët sllavë. Ata kishin mësuar përmendësh vargjet dhe i recitonin nënëzë, duke ruajtur nga spiunët” (f.15). Kjo “gjë” ishte e vërtetë. Dihet: u lexuan aso kohe shumë libra tinëz, si: “Gjarpinjtë e gjakut” nga A. Demaçi, “Tradhtia” nga Kapllan Resulit, “Ushtima e Korabit” nga i njëjti autor e të tjera vepra. Vepra e S. Novosellës “At Fishta – profet i shqiptarizmës” është një vepër e qiltërt, ku autori shprehet hapatas për njohjen e historisë së kaluar pa glorifikime dhe pa falsifikime. Të gjitha këto “lëshime” të tjerëve, At Fishta ua ka përcjellur gjeneratave me veprën në fjalë, e cila atë e ngrit dhe e bën kulmor si personalitet numër një të kombit shqiptar. Nisur nga kjo, Sabri M. Novosella e ka ndjerë si obligim qytetar e krijues, madje edhe si: publicist, dijetar, historian, eseist, polemist etj., i kësaj “natyre”, sikur tash po ia kthen borxhin autorit të veprës epike “Lahuta e Malëcisë”, e cila vepër kapitale në vargje na rrëfen të vërtetën e të kalurës sonë historike. Pra, Sabri M. Novosella shton se, historinë duhet ta shkruajmë pa gënjeshtra.

Ai i citon sa e sa vargje të At Fishtës, të cilat, në disa vende edhe i përsërit me të vetmin qëllim që ato vargje të kumbojnë zëshëm e thekshëm tek të tjerët për t’u mbajtur më shumë në mendje. Andaj, përvoja jo e largët, si shton S. Novosella, na mëson se “ç’rrezik ishte për kombin shqiptar” kur e përshkruan gjendjen e shqiptarëve nën sundimin osman. Fishta këndon: “Ndimo, Zot, si m’ke ndihmue!/ Pesëqind vjet kishin kalue/ Ç’se të buk’ren ketë Shqypni/ Turku e mbante në robni” (f.82). Pra, “çdo varg i poezisë së At Fishtës, është thënie me qëllim të caktuar. Në ato vargje tregohen të vërtetat për të kaluarën, për të tashmen apo porosi për të ardhmen se si duhet atdheu dhe kombi”. Autori, S. M. Novosella shton se, “sllavët e kishin program të tyre kombëtar shfarosjen e shqiptarëve, gjë që është vërtetuar edhe nga historia më e re, lufta e fundit në Kosovë”(f.92). Në veprën e At Fishtës vërehet qartë se, profeti në fjalë (At Fishta), vazhdimisht ka punuar “për të dëshmuar se shqiptarët e tri feve kanë qenë të pandarë në çdo situatë”(f.97).

Autori, i veprës “At Fishta…” S. M. Novosella, shkruan dhe bën analiza në çdo varg apo pjesë të këtyre këngëve për të nxjerr domethënien e mendimit të popullit, kur poeti u drejtohet të mos të shiteshin ata (shqiptarët) për para, mos të tradhtojnë atdheun për para, ku e sheh profetin shqiptar si të parin që u printe masës në kohën kur atdheu i shqiptarëve ishte në rrezik nga grabitçarët e huaj. At Fishta, sipas S. Novosellës ishte vërtet një profet i lindur i shqiptarëve. Ai e vështron mendimin atdhetar të At Fishtës si një thirrje për atdhe që të mos u dhimbset asgjë, as “gjëja”, as jeta. E, kënga ia thotë: “Por të desin, si Oso Kuka/ Kur ka ndie Mbret Sylejmani/ Paska shkrue m’at derë Stambolle: Trima ka trima s’ka…(f.105). Poeti, Fishta, për ta forcuar ndërgjegjën kombëtare, nëpërmjet personazheve të veprës së tij, por edhe nëpër mes të thënieve të tyre, këngëve etj., ai mburrë dhe nxit kombin shqiptar për luftë kundër okupuesve të huaj e barbarë të asaj kohe. Në veprën e Sabri M. Novosellës “At Fishta – profet i shqiptarizmës”, sikur flet dhe identifikohet vetë autori me krijuesin madhor në fjalë. Ky e adhuron vargun fishtjan. Ai (Sabriu) i reciton vargjet, ato edhe i komenton fjalë për fjale e varg për vargu, sa aty shihet ngulitja e tij si lajtmotiv atdhedashurie që është e shpërfaqur si një pikë takimi më ide dhe me fuqi krijuese. Të gjitha këto komentime e analiza i ka bërë Sabriu (Novosella) me një maturi, pjekuri dhe me një dashuri të flaktë ndaj veprës së autorit në fjalë. Dhe, motoja e idesë së autorit të “Lahuta e Malëcisë”, por edhe të publicistit S. Novosella, ishte e është edhe sot: “Më mirë me dekë/ nën dhe m’u kja/ se për t’gjallë/ Me mbetë nën shkja”! (f.126).

Kjo ishte moja e At Fishtës, i cili atdheun shqiptar, Shqipërinë, por edhe tokat tjera shqiptare, i vajtoi në vargjet e tij epike, të cilat vargje nuk pat shqiptar që nuk i lexoi, recitoi apo nuk i adhuroi ashtu siç e mertojnë ato. Andaj, autori Sabri Novosella, pa hezituar, shprehet qartë se, At Fishta nuk ishte profet i fesë, por ishte profet i kombit shqiptar që bëri bashkimin e shqiptarëve të tri feve. Këtu ishte, por është edhe sot merita e tij si njeri, dijetar, poet e profet i shqiptarizmës. Prandaj, vepra e Sabri M. Novosellës “At Fishta – profet i shqiptarizmës” është vepër monument që ia vlen jo vetëm të lexohet e të vlerësohet, por edhe të rivlerësohet, sepse, aty ka vetëdije të madhe historike e kombëtare. Kjo vepër e S. Novosellës është një vlerësim e një analizë reflektuese autorit që rrëfen “ngjarje” tona historike që mbetur të përjetshme. Njeriu (autori) nuk ka mundur t’i ikë të vërtetës, pasi ajo ishte një e kaluar e faktike e kombit tonë shqiptar. Vepra në fljalë ka 272 faqe tekst.

bobi
Nga bobi March 8, 2016 11:38
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*