Rusia ne Ballkan

bobi
Nga bobi February 28, 2016 13:17

Rusia ne Ballkan

52241427732992911264kremlin

Moska zyrtare, e cila ka marrëdhënie të tensionuara me vendet perëndimore për shkak të krizave në Ukrainë dhe Siri, përpiqet që rajonin e Ballkanit ta përfshin në planet e saj gjeopolitike. Edhe pse ky rajon asnjëherë nuk do të shndërrohet në ambarë të ushtrisë ruse, disa faktorë tregojnë se prezenca e Moskës në Ballkan do të jetë gjithmonë e gjallë.

Në mesin e popujve të Ballkanit ka shumë të tillë që dëshirojnë ta shohin praninë e Rusisë në këtë rajon. Në anën tjetër edhe nga ana e qytetarëve rusë ka të tillë që janë të interesuar nga afër me Ballkanin dhe të tillë që besojnë në “Vëllazërinë ortodokse”. Në mesin e tyre janë ultranacionalistët rusë, të cilët besojnë se nëse merren parasysh rreth 400 milionë ortodoksë që jetojnë në një territor të gjerë që shtrihet prej Rusisë e deri tek Greqia dhe nëse këta njerëz bashkohen do të mund të formojnë një fuqi alternative përballë perëndimit. Ndërsa një pjesë e shoqërisë ruse problemet e Ballkanit i shikojnë si probleme të tyre të brendshme.

Rusia është një aktor i rëndësishëm në Ballkan edhe për nga aspekti i energjisë. Tensionimet e jetuara mes Rusisë dhe Ukrainës viteve të fundit, ndikojnë negativisht në shumicën e vendeve të Ballkanit. Përveç Shqipërisë, të gjitha vendet e Ballkanit kanë lidhje të gazit natyrorë me Rusinë. Gazi natyror rus në Ballkan arrin me anë të dy
rrugëve. E para është tubacioni që lidhë Rusinë me Hungarinë e që shtrihet drejtë vendeve të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq e dyta është linja e tubacionit që shtrihet prej Rusisë në Ukrainë, Moldavi, Rumani dhe Bullgari dhe prej Bullgarisë drejtë Turqisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

Konsumi i përgjithshëm i gazit natyror në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2014 ka qenë 169 miliardë metra kub. Nga ky gaz 50% sigurohet nga importi, ku pothuajse e tërë sasia importohet nga Rusia. Bullgaria 60% të nevojave të saj për energji i siguron nga Rusia. Si përfundim sa herë që Rusia e ndalë transportin e gazit natyror për në Ukrainë, të cilin ajo e përdor si kartë, disa vende të Ballkanit mund të hyjnë në dimër pa u furnizuar mjaftë me gaz.

Rusia edhe për shkak të faktorëve gjeopolitik mundohet të ketë ndikim në Ballkan. Pas Luftës së Ftohtë, Rusia nga pozita e superfuqisë ishte kthyer në një vend zëri i së cilës nuk dëgjohej mjaftë. Mundë të themi se në ditët e sotme njëra prej pikave kryesore të politikës së jashtme të Presidentit rus, Vladimir Putin është përmirësimi i pozitës së Rusisë në sistemin ndërkombëtar në një fuqi. Rusia gjithashtu preferon një botë që nuk administrohet nga ana e vetëm një super fuqie, por dëshiron një sistem ndërkombëtar ku dëgjohen shumë zëra. Moska gjatë këtyre përpjekjeve mundohet që rajonin e Ballkanit ta përdorë si një vegël.

Rusia qysh prej fillimit është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Ajo nëpërmjet anëtarësimit të saj në grupin e kontakteve e me anë të iniciativave të shumta rajonale dhe marrëdhënie dypalëshe, mund të ndikojë në zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Mirëpo hedhja e hapave drejtë integrimit në BE dhe NATO të vendeve të Ballkanit bënte që bërësit e politikës së jashtme ruse për një kohë të gjatë të largohen nga vendet e rajonit. Edhe pse disa zyrtarë rusë herë pas here bëjnë deklarata në drejtim se pa Rusinë në Ballkan nuk do të ketë stabilitet, Moska deri në një të kaluar të afërt përqendrohej në monitorimin e interesave ekonomike në rajonin e Ballkanit.

Me përkeqësimin e marrëdhënieve të Moskës me vendet perëndimore për shkak të krizës në Ukrainë, Rusia filloi të kthehet në Ballkan. Ndërkaq prania e elitës dhe shoqërisë së zhytur në recesion ekonomik dhe korrupsion në rajonin e Ballkanit, bëri që të rritet ndikimi i Rusisë në këtë rajon. Mund të themi se objektivi kryesor i Moskës në Ballkan është të ulë ndikimin e perëndimit në rajon. Në këtë kuadër, mbajtja jashtë NATO-s posaçërisht të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës është e rëndësisë strategjike për Moskën. Me anë të burimeve të saj që ka në dorë Moska përpiqet të ngadalësoj edhe procesin e integrimit të këtyre vendeve në BE.

Sipas informatave të burimeve mediatike Moska me anë të një investimi në vlerë 11 milionë euro, përgatitet të hapë një kanal televiziv që do të bëjë transmetime në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Rusia me anë të politikave të saj për Ballkanin është duke bërë investime të rëndësishme në serbët e Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Serbia pret përkrahje nga Rusia në çështjet e politikës së jashtme ashtu si në problemin me Kosovën. Në këmbim Serbia mbajti një qëndrim asnjanës ndaj krizës në Ukrainë. Serbia nuk merr pjesë edhe në sanksionet të vendosura nga ana e SHBA dhe BE ndaj Rusisë për shkak të krizës së Ukrainës. Disa nga zyrtarët serb ashtu sikurse edhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç shprehen hapur për preferencën e tyre ndaj Rusisë.

Së sfondin e marrëdhënieve të ftohta të Serbisë me NATO-n qëndron faktori i Rusisë. Kjo e fundit, e cila në mënyrë të hapur del kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO, në pamje nuk është kundër procesit të integrimit të këtij vendi me Bashkimin Evropian. Kur bëhet fjalë për arsyen mund të themi se Moska beson që Serbia brenda BE-së do të jetë “Kali i Trojës” i Rusisë. Mirëpo është e paqartë se a do ti qaset Serbia pas anëtarësimit në BE një roli të tillë të Kalit të Trojës. Orientimi i politikës së jashtme të Serbisë do të ndikojë nga afër edhe zhvillimet në Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Dr. Erhan Turbedar

bobi
Nga bobi February 28, 2016 13:17
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*