KJO REPUBLIKE KA RENE, NA DUHET NJE REPUBLIKE E RE!

bobi
Nga bobi February 22, 2016 11:23

12767351_1034142323337235_1098763857_n-800x445

KJO REPUBLIKE KA RENE, NA DUHET NJE REPUBLIKE E RE!

Besnik Aliaj

I nderuar Z. President i Republikes,

Ne respekt te detyres suaj si garant i kushtetueshmerise ne kete vend, permes ketij komunikimi publik deshiroj te nenvizoj me modesti por edhe me shqetesim qytetar disa problematika ne rritje te cilat paraqesin sot nje emergjence sociale kombetare, per shkak se kane mbetur peng i luftes se klases politike, nderkohe qe jane ceshtje qe kerkojne veprime urgjente ne bashkepunim edhe me faktore pertej-politike te shoqerise si dhe me aleatet tane strategjike nderkombetare, te cilet se fundmi e kane rritur ndjeshem interesin e tyre mbi mirefunksiomin e shtetit dhe shoqerise sone per shkak te vete interesit tone per t’u integruar ne BE.

Sot 25 vjet mbas renies se “perdes se hekurt” sistemi demokratik qe aspiruam te ndertojme e qe kemi sot ne fuqi duket se nuk funksionon mire. Ai eshte thuajse i paralizuar dhe cdo dite dhe per fat te keq duket se po projekton gjithnje e me shume tension, konflikt dhe padrejtesi. Sot eshte e veshtire ta quash kete sistem “demokraci” sepse me shume ai ngjan me nje “pluralizem para-demokratik”. Po keshtu edhe “ekonomia e tregut” ne vend, nuk arriti kurre nje nivel konsolidimi permes rregullave te qarta dhe gares se ndershme. Ajo eshte ne rastin me te mire gjysem e kontrolluar vetem nga nje strukture e vogel kompakte politiko-ekonomike, si dhe nga informaliteti, pa folur per krimin e organizuar qe kontrollon sot volume te konsiderushme te asteve dhe mireqenies kombetare.

Procesi politik sot ne kete vend eshte shume i tensionuar, manipulativ dhe teper konfliktual. Pavaresisht alternativave qe ekzistojne normal ne cdo demokraci, ceshtja eshte se ne kemi humbur sot kohezionin social dhe jemi praktikisht fort te ndare “ideologjikisht” si nje alibi per te sunduar ne fakt shoqerine dhe “kundershtarin” permes favoreve te qeverisjes. Akoma me keq ne sot si komb jemi me te percare se kurre, dhe na mungon nje projekt konsensual zhvillimi per te ardhmen, dhe ate se si do te jete Shqiperia dhe shqiptaret pas 10te, 30te apo 100 vjetesh. Ne jemi zhytur sot ne nje lufte te paprincipte ku urrejta cdo dite e me shume vec dominon pozitivitetin dhe konstruktivitetin e shoqerise.

Mbi te gjitha ne keto 25 vjet, jetet tona jane totalisht te kontrolluara nga tekat e nje “lidershipi” teper i ngushte politikanesh dhe nje dyzine mediash te cilat aktualisht kane krijuar ne praktike nje “oligarki” te vertete opinion/politike-berese dhe vendim-marese gje qe eshte ne konflikt te hapur me rregullat e demokracise, transparences publike dhe interesit publik. Ky konflikt interesi ka nxjerre gradualisht jashte loje te gjithe sferat e jetes: qytetaret e thjeshte, te rinjte, te arsimuarit, intelektualet, biznesin, shoqerine civile dhe mediat e pavarura. Praktikisht elita jone dhe intelektualet sot jane perjashtuar, tallur, dhe syrgjynosur ne emigracion. Mbi 100,000 prej tyre sot kane ikur ne Kanada, e shume me teper ne SHBA, BE dhe se fundi Australi. Ata qe ende kane mbetur ketu u duhet te perballen cdo dite me poshterimin qe realizohet me te gjitha menyrat direkte ose indirekte me qellimin e vetem qe te heshtin dhe te struken ne nje jete sa me rutine dhe sa me te izoluar nga ndikimi publik. Kush guxon te flase ndeshkohet me te gjitha metodat nga me te sofistikuarat dhe me te dhunshme. Merre me mend se cfare behet me te tjeret.

Sot e pas 25 vjetesh ne nuk kemi mbyllur ende hesapet me te kaluaren komuniste, dhe nuk u kemi kthyer pronat pronareve legjitim. Korrupsioni ka arritur ne nivele ta paimagjinueshme dhe per cudi ndeshkimi ligjor por i ndershem nuk njihet ende ne kete shoqerie. Madje ne se ndeshkohet dikush, ndodh vetem me ata qe punojne dhe ropaten nga mengjesi ne darke, sepse kriminelet ne shumicen e rasteve arrijne te bejne bisht. Ta themi troc sot ligji ne Shqiperi ka dy standarde, duke krijuar ne kete menyre nje super-klase sociale “superiore” qe e konsideron veten te paprekshme nga ligji. Ndaj dhe te tjeret shpesh detyrohen te perfundojne ne vetegjyqesi. Gjithe ky pershkrim i situates nuk eshte dicka qe mbiu papritur vetem keto 2-3 vitet e fundit. Sot ai ka arritur kulmin edhe per shkak te disa rrethanave specifike te brendshme e te jashtme. Por per hir te vertetes ai eshte pjese e nje procesi 25 vjecar te rrenimit te pareshtur te demokracise, ekonomise dhe shoqerise ne kete vend, ku perjashtohen shume pak periudha progresi real. Ceshtja tashm eshte se askush nuk mund te luaje me naivin e te “fshehi koken si struci”!

Fort i nderuar Z. President,
deshiroj t’ju sensibilizoj perseri me modesti dhe me keqardhje se ne po shkojme ne kete menyre drejt nje “humnere” kombetare ku pergjegjesit duket se jane te qarte per kedo, por qe cuditerisht na mungojne instrumentat per t’i shenjestruar dhe ndeshkuar si ne cdo vend normal te botes. Sot eshte fakt se Parlamenti, dhe klasa politike e kane humbur besueshmerine dhe bashke me media te caktuara “luajne si elefanti ne shtepine me xhama”. Nuk jam une qe e them kete, por jane vete ligjet qe ata kane miratuar si dhe skandalet qe publikohen e pastaj pergenjeshtrohen qe e provojne kete! Sot sistemi jone i drejtesise eshte me fiktivi se kurre ndonjehere ne histori; sistemi shendetesor eshte nje farse e madhe ne kurriz te shendetit dhe mireqenies se kombit; sistemi arsimor mesatar eshte ne nivele edhe me te uleta se ai i diktatures; drejtesia sociale mungon teresisht; arroganca dhe korrupsioni po shkaterojne perfundimisht shpresat per qeverisje te mire; indi njerezor i shoqerise eshte shkateruar; burimet njerezore po thahen cdo dite; mjedisi dhe pasurite kombetare jane rrenuar si asnjere ne ekzistencen e ketij kombi.

Per fat te keq gjithshka ne kete vend gjallon, merr fryme, dhe funksionon vetem nga gjendja shpirterore e liderave tane politiko-mediatike dhe nga sundimi i partive politike te cdo segmenti te jetes publike. Kjo oligarki tashme ka krijuar nje realitet tjeter lluksi per vete e tyre. Ata jane shkeputur dhe distancuar nga shoqeria, dhe jetojne me vete ne komunitete te rrethuara. Familjaret e tyre edukohen dhe mjekohen jashte, duke anashkaluar sistemet tona te jeteses dhe sherbimeve, ku jetojne e sherbehen keqazi ose aspak pjesa derrmuese e shqiptareve. Aq keq eshte sa sot shoqeria jone nuk ka me asnje lloj shtresezimi horizontal ekonomik-social e kulturor. Ajo karakterizohet vetem nga nje carje dramatike vertikale ku nga njera ane qendrojne nje grusht oligarkesh dhe ata qe kane lidhje me ta, ndersa nga ana tjeter jane gjithe te tjeret qe ne fakt jane shumica derrmuese te perjashtuar egersisht nga perfitimet e qeverisjes se mire qe cdo taksapagues, siperm-mares ose qytetar i thjeshte do te merrte ne nje shoqeri normale. Ne te kundert ata dhunohen qe te mos flasin dhe te mos reagojne. Z. President, ju siguroj se puna ka vajtur ne nje pike ku nuk mban me. Dhe ky fakt qe e dine te gjithe nuk ka me te beje thjesht me debatin apo fatin e partive politike ne qarkullim ne kete vend, dhe as me dilemat majtas, qender apo djathtas! Klasa politike gjithashtu ka rene dhe eshte bere e pabesueshme. Situata ne rajon dhe bote nderkohe ka ndryshuar tmerresisht, dhe te gjithe nuk jane me si me pare!

I nderuar Z. President, gjithe ky diskutim nuk eshte shenje paniku apo megallomanie, se sa eshte nje klithje qytetare qe ka te beje me jeten ne perkeqesim te 4 milione Shqiptarve dhe fatet e ketij vendi ne nje moment dramatik krize besimi e vlerash, te nje recensioni ekonomik global, e nje destabiliteti gjeopolitik dhe rajonal teper delikat qe po prodhon ne horizont radikalizem, ekstremizem dhe terror. Kjo situate kerkon kirurgji te forte! Shkurt une dua te them sot se kjo Republike ka rene, dhe ne kemi nderkohe nevoje urgjente per nje Republike te re!

Ne keto kushte paralize te institucioneve, dhe si garant i Kushtetutes qe jeni, ju kerkoj qe brenda skeletit ligjor dhe kompetencave qe jua njeh ligji, si dhe ne bashkepunim me institucione e faktore politike dhe pertej-politike ne vend te ndermerrni hapa urgjente per te kontribuar sadopak ne iniciimin e nje procesi konstruktiv qe con drejt korrigjimit urgjent te mjaft deformimeve te demokracise ne kete shoqeri. Kjo ndodh ne nje moment me rendesi historike, kur vendi supozohet se duhet te nise edhe udhetimin drejt nje BEje te lodhur qe ka mjaft probleme te saja. Nderkohe qe vendimmarjet tona mbeten peng i sa spjegova me lart, ne tashme kemi humbur shume kohe! Ndaj me modesti po jo pa qellim deshiroj t’ju sjell ne vemendje rastin e Renies se Republikes ne Italine fqinje, dhe te masave ekstra-poltike qe u ndermorren atje per te Rithemeluar nje Republike te Re, permes riaktivizimit te instrumentave te demokracise dhe pjesmarrjes si ilac kunder sindromes se perjashtimit dhe extralegalitetit.

Nga fundi viteve 80te dhe fillimi 90s korrupsioni ishte bere superendemik ne politiken italiane. Popullit, qe kishte kohe qe vuante, i erdhi ne maje te hundes me fenomenin e mirenjohur “Tangentopoli” – nje miksim toksik i politikes antike ne Parlament, me korrupsionin masiv, borxhet e larta te qeverise, dhe kontrollin e jetes publike e politike nga Mafia dhe krimi organizuar. Por me ndryshimin e kushteve gjeopolitike (deshtimin e Bashkimit Sovietik) – njesoj si ne rastin tone sot (recensioni ekonomik, tensionet ne Europe dhe rajon, kriza e refugjateve, etj) – duket se “statuskuoja e kenetes” italiane u prish. Kjo i hapi udhe – si prej kushteve te brendshme edhe nga presioni nderkombetar – nje procesi kombetar hetimi te njohur si “Duart e Pastra” (Mani Pulite). Si rezultat i kesaj, forcat konstruktive dhe te pergjegjshme ne vend anashkaluan bllokimin e statuskuose, duke ushtruar te drejtat kushtetuese per te ndermarre nje seri referendumesh popullore gjate vitit 1993, te cilat nder te tjera aprovuan ndryshimin e sistemit te votimit ne Itali. Si rezultat i kesaj 452 nga 630 deputete u zevendesuan nga politikane te rinj, dhe po keshtu 213 senatore nga 315 humben vendin e tyre pothuaj te “perjetshem”. Sistemi elektoral ndryshoi duke u bere i drejteperdrejte dhe me i pergjegjshem. Partite e medha u shperbene dhe atyre te rejave ju imponuan standarde ligjore te demokracise se brendshme. Gjithe mekanizimi i ngrire i demokracise u vu te pakten ne levizje permes parimit te shenjte te qarkullimit te elitave. Ky termet politik coi ne krijimin e Republikes se Dyte ne Itali. Natyrisht kjo nuk zgjidhi te gjitha problemet e Italise si me magji. Madje probleme te tjera u krijuan ne vitet ne vijim. Por qe atehere deri sot Italia ka nje klase politikanesh te rinj dhe nje spekter politik te riformatuar nga e para duke ndjekur me mire modelin e vendeve te tjera te BEse dhe SHBAse per te garantuar qarkullimin e elitave, dhe shmangien e korracimit te politikes me interesa te caktuara, permes ndeshkimit te korrupsionit dhe te paprekshmeve!

Duke u rikthyer ne kontekstin shqiptar, permes kesaj historie te shkurter qe jam i bindur se njihet nga shumica e shqiptareve, une nuk synoj te hyj ne debate ne se ky eshte modeli me i mire apo jo per ne. Por ne kushtet qe jemi, kur nje sere reformash jetike per vendin mbahen prej vitesh peng i mungeses se vullnetit politik per t’u ulur ne tryeza sa me normale diskutimi dhe vendimmarje, e gjitha kjo eshte shnderruar vetem ne nje alibi tensioni per deshtimet e vazhdueshme te cilat kane bere qe niveli i jeteses dhe i demokracise per popullin te bjere drastikisht, aq sa Shqiperia sot paraqet indikatore zhvillimi thuajse afrikane. Ndaj perseri me modesti sugjeroj qe te nxirrini nje konkuzion mjaft te vlefshme nga pervoja italiane, duke ju referuar pervojes se ushtrimit te se drejtes kushtetuese te sovranit per REFERENDUM POPULLOR sa here qe ne horizontin politik ka stuhi dhe bllokim, si nje instrument qe garanton nje proces “oksigjenimi” te jetes sociale dhe debatit politik ne vend duke e nxjerre ate nga qerthulli i ndarjes se sotme ne barrikada interesash apo ideologjish.

Ne perfundim sugjeroj konkretisht, te iniciohet sa me pare sa nuk eshte vone strategjia e uljes se tensionit dhe rritjes se pergjegjshmerise publike te te gjitheve aktoreve te jetes ne vend permes tre hapave konkrete:

1. Ne kushet kur kemi te miratuar ligjin per dekriminalizimin, thirrjen sa me pare te tryezes konsultative te forcave politike parlamentare (pse jo dhe te faktoreve te tjere politike konstruktive jashte Parlamentit), nen monitorimin edhe te partnereve strategjike, per te iniciuar tranzicionin dhe inkurajuar nje fryme sa me te normalizuar diskutimi dhe negociimi midis liderave politike, e gjitha kjo e kushtezuar me transparence publike. Kjo sepse liderat tane nuk flasin me njeri-tjetrin, por komunikojne tashme vetem permes mediave si ne ne nje teater. Kjo tryeze nuk zevendeson aspak dhe nuk cenon kompetencat e Parlamentit qe ai te beje punen e vet. Kjo ne fakt eshte nje praktike e njohur sa lokale dhe boterore qe ka dhene rezultate sidmos ne kohe tensionimi politik apo krizash social-ekonomike. Ne te kundert tryeza e forcave politike mund dhe duhet te stimuloje bazat e nje PAKTI POLITIK dhe nje mjedis sa me te shendetshem politike-berje e vendim-marrje edhe ne Parlament. Ajo do te gjeneronte edhe piketat e nje qeverisje sa me gjitheperfshirese, konsensuale dhe me te pergjegjshme nga cdo maxhorance dhe ne nivel: qendror apo vendor.

2. Thirrjen e nje tryeze konsultative me perfaqesues, eksperte dhe personalitete te jetes publike me njohuri ne fusha specifike e strategjike te vendit (akademike, perfaqesues te biznesit dhe shoqerise civile, lidera religjioze dhe komunitare, publiciste, aktiviste sociale e sindikale, etj), e gjitha kjo me synim per te diskutuar dhe koordinuar disa piketa te nje axhende kombetare aftagjate zhvillimi, qe mund t’i sherbeje politikes dhe ekzekutivit si baze e nje lloj PAKTI SOCIAL per detajime te metejsheme gjate procesit ligjvenes dhe ekzekutiv. Kjo eshte imediate sepse sot secila pale qe vjen ne pushtet qeveris me arrogance si e cmeritur, duke lene ne harrese segmente te tera te shoqerise dhe problematika te agravuara. Kjo tryeze perfaqesimi e gjithe segmenteve te shoqerise do te inkurajonte fokusimin dhe kontaktin real te politike-berjes dhe vendim-marrjes ndaj problematikave ne rritje te qytetareve, dhe sfidave te ekstremizimit dhe radikalizimit, duke ndihmuar per te e c’tensionuar debatin politik, per te ulur ferkimet sociale dhe per te rritur sa me shume perfaqesimin jashte-partiak te shoqerise ne proceset e qeverisjes.

3. Iniciimin se bashku me gjithe faktoret pozitive (ekstra-) politike te nje sere REFERENDUMESH KOMBETARE per te zhbllokuar kapjen e vendim-marrjes se vendit nga interesat, politizimi, bllokimi dhe konfliktualiteti i tepruar. Ne situaten aktuale keto referendume do te ishin celesi per te iniciuar nje proces te paanshem ku vendos sovrani dhe jo grupet e kufizuar oligarkike. Disa nga dilemat primare per keto referendume mund te jene vendimet ne se do kemi: Sistem elektoral proporcional apo maxhoritar?; Zgjedhja e Presidentit nga populli apo parlamenti?; Si te behet rregullimi i financimit per partite politike dhe zgjedhjen e liderit te cdo partie me parimin nje antar nje vote, por jo me shume se 2 mandate 4 vjecare?; Stabilizimin e nje qeverie te vogel me kosto te ulet dhe me institucione te stabilizuar me jo me shume se 10 ministri; Rregullimin e mardhenies media-politike-biznes, etj.

I nderuar Z. President une e kuptoj qe ky “Revolucion i Pejsazhit Politik” ne Shqiperi do te kerkonte nje vullnet shume te madh politik, dhe nuk eshte pa kosto per te gjithe. Por garantimi i vendim-marrjes qe vjen permes sovranit, ne kete moment kur tensioni cdo dite e me shume mund te na sjelle ne tryeze anarkistet dhe ekstremistet, eshte nje instrument zhbllokues jetik ne favor te se mires publike dhe te demokracise per te cilen jemi rropatur si komb. Ndaj do te deshiroja shume qe me dinjitetin e deshmuar deri me sot ne detyren tuaj fisnike, te luani nje rol sa me jokonvencional duke ndertuar aleance me njerezit e thjeshte per te sfiduar se bashku pseudo-demokracine dhe mafian ne politike dhe jeten tone te perditshme. Nje aleance strategjike me faktoret konstruktive te kesaj shoqerie qe i duan realisht keto reforma ne funksion te korrigjimit te deformimeve dhe normalizimit te jetes se ketij vendi, tashme eshte urgjence kombetare.

bobi
Nga bobi February 22, 2016 11:23
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*