Rilindja nga Cani te Ahmetaj dhe Postblloku “Rilindja Ridge”

bobi
Nga bobi February 21, 2016 09:52

Rilindja nga Cani te Ahmetaj dhe Postblloku “Rilindja Ridge”

gjergj-thanasi

Shkruan: Gjergj Thanasi, Tiranë

Për të kuptuar dallimin midis ministrit të financave në detyrë Prof. Canit dhe ministrit ende të padekretuar Ahmetaj më erdhi në ndihmë një thënie e doganier Halilit nga viti i largët 1989. Në dialekt batuta është: Di me vjedh? Di! Di me mëlcef? Nuk di! Mos vidh! Porf. Cani “di me mëlcef”, ndërsa Ahmetaj nuk di “me mëlcef”, por di të paguajë sa t’i kërkojë kryeministri i rradhës, inspektorët e EYP-it apo doganierët grekë, inspektorët e inspektoriatit të deklarimit të pasurive etj.

Prof.Cani është aparatciku tipik i formuar si i tillë vitet e fundit të komunizmit, ku mbi të gjitha kishte rëndësi të ruheshe se mund të të fluturonte koka duke të ardhur e keqja edhe nga nuk e prisje. Si prof. Cani ishin një grup i vogël bankierësh të rinj, që byroisti injorant Qirjako Mihali i kishte lënë të “bubrronin” në të ashtuquajturin sektori i jashtëm i Bankës së Shtetit. Me përjashtim të z. Cani të gjithë të tjerët ose përfunduan në burg si hajdutë bankash (Xhyheri, Hoti, Fullani, Tirana etj) ose u shpallën në kërkim si katundari grekofon Gazhda, që bashkë me Arben Ramiz Alinë bënë rrush e kumbulla në të ashtuquajturin kambizëm një pjesë të konsiderueshme të atij  pak floriri e argjendi të mbetur në thesarin e shtetit shqiptar. Nga kjo historia e kambizmit Prof. Cani shpëtoi pa u lagur, ndonëse ende kanë mbetur në arkivat e shtetit dokumente më firmën e tij për eksportin e lingotave të argjendit në Zvicër me avionët “Fairchild  Swearingen Metroliner” të Linjës “Cross Air”.

Si pjesë e qeverisë Nano në vitin 1991, Prof. Cani shpëtoi përsëri pa përfunduar në burg, ndonëse me sebepin e vjedhjes së ndihmave humanitare italiane u prangos edhe Fahrudin Hoxha, njeri i ndershëm dhe shkencëtar, thuajse i përmasave europiane, që i kishte shërbyer Ramiz Alisë në vitet e fundit të komunizmit si “figure head” dhe maskë intelektuale për Lenkacukot injorante të Polit-byrosë. Si dibran i mëncur dhe aparatcik i kujdeshëm Prof. Cani kishte bërë shumë kujdes për cdo firmë të hedhur, duke ua lënë të tjerëve nderin për të firmosur dokumente dhe për të marrë peshqeshe nga firmat mashtruese “Iliria Holding” dhe “Rukert”. Në gjyqin e ndihmave humanitare italiane, gjithsesi Shkëlqim Cani në rolin e dëshmitarit u soll sa serioz aq edhe dinjitoz duke bërë maksimumin, që dëshmia e tij të mos rëndonte asnjë nga të pandehurit, vecanërisht krye të pandehurin: Fatos Nanon. Nga ana e tij Fatosi  kryeministër, në vitin 1997 e shpërbleu besnikërinë e Canit gjatë procesit gjyqësor, me mandatin e deputetit socialist dhe me kolltukun e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Duke shqyrtuar dokumentacionin e vjedhjes së thesarit në fund dhjetorin e vitit 1999 më tërhoqi vëmendjen një fakt interesant. Kërkesave të vazhdueshme të nën/kolonelit të ndjerë Bishtqemi, ish shef i Degës së evakuimit të thesarit, për të marrë masa për ruajtjen e objektit “Celiku” (Lumi) në Qafmollë, ku ishte strehuar thesari, zyrtarët e shtetit nga Presidenti Mejdanite deri te nën/drejtori i policisë Bellovoda i ishin përgjegjur me heshtje. Nuk kishin marrë asnjë masë të vetme, qoftë edhe simbolike për të përmirësuar sado pak kushtet e ruajtjes dhe të sigurisë së thesarit. Vetëm Guvernatori Cani i ishte përgjegjur kërkesës së nën/kolonel Bishtqemit duke i dërguar një sasi kabull korenti për të ndricuar rrethimin e jashtëm me tel me gjemba të objektit “Lumi”, në Qafmollë. Pra me një gjest të tillë Prof. Cani si Pontius Pilati në vaktit lau duart për cdo përgjegjësi penale për një vjedhje eventuale të Thesarit të Shtetit. Kabulli i Prof.Canit do të ndihmonte në ndricimin e objektit gjatë natës duke ua vështirësuar hajdutëve vjedhjen e arit, pra guvernatori e kishte kryer detyren e vet!

Normalisht Prof. Cani si guvernator i bëri lekët e veta, por si miu jo si ariu. Pa rënën në sy, duke përdorur kursin e këmbimit të lekut me valutat e huaja, duke dhenë linshenca për zyra këmbimi valute, duke luajtur me ndonjë tender për investime në Bankën e Shtetit apo me transfertat e valutës jashtë shtetit nga bankat greke dhe Banka Italo-shqiptare. Gjithsesi Cani mund të konsiderohet engjëll në kohën e sundimit të parë të socialistëve, kur paraja bëhej më thasë në kontrabandën e doganave ,me skafet e klandestinëve, me tranzitin e drogave të forta, me shitjet e armëve deri në Kongo apo duke grabitur asetet e trashëguara nga socializmi me blerje pa vlerë minimale sic bleu Kokëdhima ish Frigoriferin e Durrësit.

Në rrethana të tilla teknicieni Cani nga frika e burgut guxoi madje të mos ia firmoste letrat Kryeministrit Nano, kur ai vendosi t’ia shiste me cmim modest Bankën Kombëtare Tregtare një banke të vogël turke. Për një refuzim të tillë Prof. Cani ishte gati të sakrifikonte një mandat të dytë si guvernator sipas parimit: më mirë një mandat më pak sesa disa vite burg më shumë.

ARBEN AHMETAJ

Krejt e kundërta ishte Arben Ahmetaj. Ai që thuajse adoleshent si drejtor i tatimeve konkuronte rrotë më rrotë me famëkeqin Gëzim Bleta se kush do të bënte më shumë para: doganat apo tatimet! Që në verën e vitit 1998 Ahmetaj ishte një nga drejtorët e triumviratit (bashkë me atë të doganave dhe të shërbimeve qeveritare), që me bëmat e tyre u shndërruan në persona non grata për “Rilindja Ridge”. Nano në fund të korrikut 1998 nuk ua vuri veshin sugjerimeve të ambasadoreshës Lino për t’i siluruar tre drejtorët problematikë. Në fund të shtatorit 1998 Nano nuk ishte më Kryeministër dhe tre drejtorët nuk ishin më drejtorë.

Katër vjet më vonë Ahmetaj u rikthye në pushtet si zv/ministër i energjitikës duke mos u shquar për ndonjë gjë të vecantë me përjashtim të kompanisë “Hermes,” më vonë “Hermes Communication SHA” në pronësi të familjes së z. Ahmetaj. Kjo kompani u hetua për dëme miliona eurosh të shkaktuara kompanisë ende shtetërore “Albtelekom SHA” nga kontrata të dyshimta per impulse telefonike. Sa për gjurmët e lëna, nuk kishte asnjë problem. Populli nuk thotë kot, që paraja e hedh ujin përpjetë madje edhe në shtete, si Greqia dhe Rumania, që zyrtarisht janë vende anëtare të BE-së.

Epoka e Rilindjes

Prof. Cani, megjithëse i emëruar “shefi” i  financave nga Kryerilindasi, nuk komandonte asnjë nga geishat e doganave, tatimeve, lojërave të fatit etj. Paratë, që prodhoheshin në drejtori të tilla, ishin thjesht “off-limits” për Canin e ngratë. Madje ai arrinte të mësonte dicka, apo të siguronte dokumente kompromentuese për këto përrenj parash të zeza në drejtoritë në varësi të tij, vetëm në mënyrë të tërthortë e jo zyrtare. Ministrin Cani nuk e pyesnin për kontratën me kompaninë angleze “Crown Agents”, ndonëse Spiropalka e doganave, që e nënshkroi ishte vartësja e tij. Tyryfycka e lojërave të fatit mund të tallte menderen para kamerave me deputetin Xhafaj, kryetar komisioni parlamentar dhe senatori PS-së, jo vetëm pa ia bërë syri tërr nga eprori i saj Cani, por edhe duke e detyruar Canin të shfajësohej për palacollëkun e vartëses, sikur të mos ishte ministër, por si nxënës i kapur me kopje nga mësuesi. Ministri në ikje Cani detyrohej të bënte lekët e veta në fusha, ku ylyfmatrakët Rilindas me diploma Vitrine e “filoqyli” nuk merrnin vesh. Për të kishte vetëm donjë grant prej dhjetra miliona lekësh për OJQ-në në pronësi të babait mbi 90 vjecar të Prof. Canit apo ndonjë përfitim tjetër jo fort i majmë, po pa lënë gjurmë, ose më gjurmë por të mirë kamufluara. Geisha zv/ministre ditët e saja të fundit e komanduar në dogana mirrte nga 4-5 mijë euro, për një gradim si shef turni, ndërsa ministri Cani për të emëruar një doganier të thjeshtë i duhej t’i lutej drejtoreshave vartëse të veta. Si gjithmonë ministri Cani nuk bënte heroin, por u hapte krahun për të vjedhur relativisht rehat injorantëve, kalamaqërve dhe geishave të Rilindjes, me kusht që mos të vinte kund firmën e vet dhe të mos rezikonte të mbante përgjegjësi penale, nëse një ditë do hapeshin letrat.

Ministri Cani nuk hapte rrugë vetëm aty, ku e dinte se vija e kuqe e “Rilindja Ridge” jo thjesht të ndalonte sot, por nesër mund të të dërgonte edhe në bankën e të akuzuarve. Kryesisht ministri Cani me vendosmëri por dhelpërisht pa u ndjerë e pa sfiduar haptazi e pengoi Kryeministrin e Rilindjes, kur bëhej fjalë për të privilegjuar shokët e miqtë e Olsi Ramës. Jo se Prof. Cani ka gjë kundër Olsi Ramës, por thjesht si burrë i mëncur, me përvojë dhe që i frikësohet prangave, e kupton rrezikun e qartë dhe prezent, që paraqesin ortakët kinezë e rusë të shokëve të Olsit. Cani shpëtoi për një qime, kur doganat de jure në vartësi të tij, de facto nën hyqmin e geishave të Rilindjes, mbyllën sytë e veshët për kontrabandën e derivateve të naftës të ardhura nga Irani nën embargo, por të kamufluara me dokumente false turke. Cani nuk mund të mbante mbi kurriz edhe mëkatet e geishave e të policëve të punësuar rishtazi në dogana, sidomos në në kushtet e reja të revanshit në shkallë globale të terrorizmit me sfond integralist islamik. Ministri Cani e di mirë, që në këtë kuadër mjaftojnë vetëm 5 (pesë) gramë Plutonium për të bërë koka turku jo vetëm doganierë e kapterrë policie si në rastin, kur kaluan kontrabandë 16 kuintal e kusur marijuanë për në Itali, por sakrifikohen drejtoresha e ministra. Cani është në prag të pensionit e në këtë moshë birucat te “Mine Peza”, me ofertën: Ultra all inclusive nuk janë aspak të përshtatshme për të.

Ahmetaj ndryshe nga Cani i ngjan  Klevisit, ish shefit të  kabinetit të ministrit grekofon Ksera, i cili haptazi deklaronte se do të bëjë para, sepse fundi i fundit burgu për burra është. Ministri Ahmetaj nuk arrin të kuptojë se tjetër është të plackitësh shqiptarët e ngratë më të ashtuquajturat partneritete publiko-private e tjetër është të sfidosh amerikanët me gjëra me zarar. Fatkeqësisht te “Rilindja Ridge” para interesave madhore amerikane nuk bën fajde as paraja e as lobistët në Uashington. Mjer, kush gabon me amerikanët dhe ngatërron letrën “Scotex” me letrën zumpara. Në këtë rast ministri Ahmetaj është i disavantazhuar, sepse ndryshe nga Kryerilindasi nuk ka përvojë pariziene në përdorimin e letrës zumpara nga mbrapa. Ashtu sic dështoi me turp koncesioni i Spitallës për ortakët kinezë të shokëve shqiptarë të Olsi Ramës, ashtu do të dështojë edhe koncesioni i TVSH-së për ortakët hong-kongas të firmave të regjistruara në Tortola Island përsëri në bashkëpronësi, sipas QKR-së të shokëve e ortakëve të Olsi Ramës.

Finalja

Kryerilindasi pa pikë njerzillëku e me mllef përdori zonjushën Fu-Fu (mbesën e Sh. Iljaz Reka), shefja kryeministrore e mediave, për ta poshtëruar Prof. Camin në sy të delegacionit të Bankës Botërore. Ministri në takim zyrtar me delegacionin e Bankes Boterore, mësoi nga titrat se ishte shkarkuar, pak a shumë njëlloj si Mareshali Zhukov, që u shkarkua në ajër, ndërsa për koincidencë po kthehej në BS nga një vizitë zyrtare në Shqipëri. Problemi tashmë nuk është poshtërimi i Canit, por dëshmitë, që mund të japë nesër (dokumentet, që mund të bëjë publike) ministri duke filluar, që nga cështja penale e serverit të tatimeve deri te….

Prof. Cani pas poshtërimit të Fu-Fu-së së Kryeministrit me siguri në gjyqet e ardhshme nuk do japë dëshmi prej xhentëllmeni si në gjyqin e Nanons në vitet 1993-1994. Dëshmitë e Prof Canit janë si qemania e Nastradin Hoxhës, së cilës i dëgjohej avazi sabajle.

Nesër, nesër do ia dëgjojë Kryerilindasi Rama avazin ish ministrit Cani!

 

bobi
Nga bobi February 21, 2016 09:52
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*