Abdi Baleta: Si e futi Ramiz Alia OMONIA-n në zgjedhjet e ‘91, vizita e Thoma Miços në Moskë për destabilizimin e Shqipërisë

bobi
Nga bobi February 9, 2016 13:11

BALETA per FOKUSTV

DILEMETA HISTORIKE

Abdi Baleta, ish ambasador në OKB dhe politolog, gjatë një interviste për “Fokus TV”, të gazetarit Robert Papa, ka rrëfyer prapaskenat, tensionet dhe intrigat e organizimit të grekëve në parti politike në Shqipëri.   Baleta shprehet se Ramiz Alia, pas takimit me Micotaqis, futi OMONIA-n në zgjedhjet e ’91, ndonëse OMONIA nuk ishte një parti politike. Abdi Baleta rrëfen luftën për të ndalu revanshin e grekëve, të cilët synonin të përfitonin nga situata kaotike në Shqipëri. Baleta ka theksuar se Thoma Miço ka bërë një udhëtim në Moskë, në kuadër të destabilizimit të Shqipërisë, ku ka kërkuar që të numërohen 300 mijë grekë në Shqipëri. Abdi Baleta flet edhe për rolin e Aleksandër Meksit, Xhelil Gjonit dhe Kastriot Islamit në paraskenat për faktorizimin e grekëve në Shqipëri. Sipas Baletës, Aleksandër Meksi është përpjekur të pengonte votimin për t’i hequr të drejtën OMONIA si parti politike në Parlamentin e Shqipërisë. Ndërkaq, ai shprehet se partia greke e Vangjel Dules u krijua me urgjencë të madhe kur po mbaronte afati për t’u regjistruar në listat zgjedhore. Ai tha se kërkesa për krijimin e partisë shkoi në Ministrinë e Drejtësisë, dhe atje mund ta vononin qëllimisht për të mos e përfshirë në listat zgjedhore. Pra, thotë Baleta, që këtu duket e qartë se partia greke kishte mbështetje nga qarqe shqiptare që punonin për interes të grekëve.    -20 vjet nuk janë pak, janë shumë kur flasim për historinë e Shqipërisë. Kush ka qenë 2 vjeç nuk e di se çfarë ka ndodhur në ato vite. Unë e mbaj mend Parlamentin e Shqipërisë dhe kush ishin ata që spikasnin. Baleta ka qenë nga ata deputetë që binte në sy për elokuencën e tij. Natyrisht që shqiptarët ju kujtojnë natën e 2 shkurtit kur po ndodhte diçka që nuk duhet të ndodhte. Lobi grek kishte arritur që helmin ta sillte edhe në sallën e Parlamentit. Z. Baleta, si e kujtoni 2 shkurtin e 20 viteve më parë?   Kanë kaluar 20 vjet nga fillimi i ngjarjeve të mëdha. Shumë gjëra edhe mund të harrohen, sepse njerëzit kanë strese të mëdha, brezat po ndryshojnë dhe shumë gjëra nuk mund të kuptohen sot. Ka shumë rëndësi që gjërat të rikujtohen në masën e duhur, dhe natyrisht edhe duke u vlerësuar në kushtet kur flasim sot. Por, shqiptarët nuk duhet ta harrojnë atë që ndodhi në Parlamentin Shqiptar. Unë kam kënaqësinë t’i rikthehen një momenti që e quaj nga më të rëndësishmit në karrierën time politike dhe diplomatike. Më shumë më intereson që shqiptarët të mos e harrojnë atë që ndodhi në Parlamentin Shqiptar dhe atë që ndodhi më pas në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Mendoj se nga ato që janë thënë atëherë, duhen verifikuar disa gjëra mirë edhe sot. Janë edhe sot aktuale disa gjëra apo nuk janë? Më 2 shkurt u bë një rrëmujë e madhe në Parlament. U bë një betejë e vërtetë midis greqizmit dhe shqiptarizmit. U habitëm kur në zgjedhje mori pjesë edhe një organizëm i quajtur OMONIA. Nga ato që janë thënë atëherë, disa gjëra duhet të verifikohen mirë edhe sot. Janë aktuale disa gjëra, apo nuk janë? Si ndodhi që në 2 shkurt u bë ajo rrëmujë në Parlament? Është një betejë e vërtetë midis greqizmit dhe shqiptarizmit. Edhe ata që nuk e deshën shumë Shqipërinë u detyruan të bashkohen ndaj një numri të vogël njerëzish që u pezmatuan shumë nga rezultati që mori votimi, që OMONIA mbeti jashtë subjekteve politike elektorale. Por, unë do të përmend diçka që ndodhi përpara kësaj. U habitëm kur në Parlamentin e 1991, në zgjedhje mori pjesë dhe një organizatë e quajtur OMONIA.    -Madje, Vilson Ahmeti kishte kërkuar dhe bisedime për rigjenerim pa qenë fare subjekt…   Jo, e ka sjellë Ramiz Alia. Ramiz Alia në konsultimet para se të bëhej qeveria e Vilson Ahmetit, ai gjoja filloi të zbatojë rregullat e demokracisë perëndimore. Vetë fakti që u krijua një qeveri e tillë ishte anakronizëm. Po konsultohej me aktorët politikë të skenës shqiptare dhe këtu na kishte përfshirë dhe OMONIA-n. Pra, Ramiz Alia e ka trajtuar OMONIA si parti politike pa ardhur fare në Parlament.    -Ishte ndonjë detyrim, z. Baleta?    Asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, sepse, nga kërkesat që iu bënë Ramiz Alisë nga Micotaqis që kur erdhi në pushtet në janar të ‘91 ishte që Kisha të komandohej nga grekët. Më pas erdhi miratimi për të ardhur Janullatos. Kërkoi që të shkrihej kufiri ku të hynin e të dilnin lirisht, minoriteti të kthehej në element shtetformues në Shqipëri. Gjithashtu, menjëherë të krijohej OMONIA dhe të përfshihej në radhët e subjekteve elektorale. Në Parlamentin e parë janë 5 deputetë të OMONIA. Në cep ulej “Kali i Trojës”. U miratua ligji për partitë politike. Ne këmbëngulëm që ky ligj të kishte një nen specifik për kushtet e Shqipërisë, ku të ndaloheshin partitë totalitariste, të ndaloheshin partitë mbi baza krahinore dhe mbi baza etnike e fshatare. Një grek atje filloi t’i qante hallin Shqipërisë, ku tha: “Një vend i vogël me kaq probleme!”. Ligji favorizonte sherret dhe grindjet. Po të binte ky ligj, OMONIA nuk mund të ishte më parti. Do vinte ligji për zgjedhjet, menjëherë pas kësaj grekët do bënin presion. Ishte neni 13. Edhe sot e kësaj dite kanë kaluar 20 vite, dhe ne ende nuk e kemi të stabilizuar ligjin zgjedhor. Demokracia zgjedhore vijon të çalojë në Shqipëri me dy këmbët dhe nga veshët. Kjo sëmundje filloi që atëherë dhe vazhdon sot e kësaj dite. Në atë kohë është bërë një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Drejtuesit e partisë kanë ngulur këmbë me të madhe që të mbështetet neni 13, që OMONIA të jetë subjekt elektoral. U bë një debat, unë ju thashë që çfarë kisha për të thënë ua thashë, po iki dhe nesër do vij të bëj një diskutim që të laj ndërgjegjen time. Në fjalimin që mbajta në Parlament, unë thashë: “Ne do t’i vëmë një gur shumë të rëndë shpirtin tonë nëse nuk kryejmë siç duhet interesat kombëtare!”. E para do ishin preferencat politike të ditës, injoranca politike, kisha frikë nga grekofilia, kisha frikë nga amatorizmi politik dhe dëshira për të rënë pre e konjukturave ndërkombëtare. Kisha frikë se mund ta shtynin Parlamentin drejt një gjëje shumë të rëndë për kombin tonë. Është dëshira e grekëve për të ngjallë protokollin e Korfuzit në 1914, që parashikonte autonominë e Vorio-Epirit për ta kthyer Shqipërinë nga shtet unitar kombëtar në multietnik, federal. Nuk mund të ketë kurrë demokraci për shqiptarët, në kushtet e sotme ndërkombëtare. Ne shqiptarët duhet të kemi shumë kujdes ndaj politikave të tutelës dhe turjelës. Sepse politika e tutelës për ne kthehet në politikën e turjelës ndaj nesh. Që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më sot, ne shqiptarët jemi viktima të politikës së tutelave dhe turjelave. Shqiptarët duhet t’i rikthehen vetvetes. Demokracia shqiptare do të jetë antidemokraci, deri kur të ndodhin këto përmbysje, që të rikthehemi te identiteti dhe nacionaliteti shqiptar   -Këtë rrezik e kanë parë që në fillim?   E kanë parë që në fillim dhe ne i rezistuam deri në fund. Si mundet që 92 deputetë shqiptarë të mos bënin atë që kishin bërë paraardhësit tanë në kushte më të këqija?! Tjetër problem që mua më ka shqetësuar në atë kohë, ka qenë altruizmi i politikanëve shqiptarë. Zotëri, tregohu një herë altruist për dhimbjen e kombit tënd! Tjetër ishte kompleksi i frikës.   -Kjo ka ekzistuar…   Po, mos na zemërohet Këshilli i Europës se ne kemi nevojë të pranohemi atje, etj. Kombi ka dhe do të gjejë forca që do të rezistojnë. Kombi shqiptar gjeti forca dhe rezistoi në shumë raste. Problem tjetër ishte se minoritarët në Shqipëri duhet të kujtohen se kanë detyra. Çdo të thotë besnikëri e minoritarit ndaj shtetit? E para, mos të nxjerrë pretendime despolitike, që të destabilizojë shtetin. Nëse minoritari përpiqet që të destabilizojnë shtetin, atëherë ti nuk je më besnik i këtij vendi. Kur është bërë regjistrimi i popullsisë në 2011 u është thënë përfaqësuesve të minoritetit se sa pretendojnë. 300 mijëshen e ka kërkuar Thoma Miço në një mbledhje në Moskë që është bërë për dimensionin human në Europë. Tani nuk e tregojnë më, kanë harruar çfarë kanë thënë. Krijimi i vështirësive për shtetin tënd në rendin ndërkombëtar, është mungesë besnikërie ndaj shtetit. Elementi grekofon në Shqipëri duhet të tregojë si duhet faktin që nuk ka pasur reciprocitet negativ nga pala shqiptare. Këta jo vetëm duhet të falenderojnë se nuk ka pasur reciprocitet negativ nga pala shqiptare, tani kërkojnë diskriminim pozitiv në dëm të Shqipërisë!! Ti je minoritar, por ti duhet të kesh dhimbje që minoriteti çam në anën tjetër po diskriminohet! Ata vazhdojnë t’i sulmojnë çamët. Dulja është vazhdimisht në agresivitet. Ka pasur polemika edhe me Barkën.    -Ai kërkonte që juve t’ju ndërpritej fjala?   Argumenti kryesor ishte: Ka dalë nga tema; Nuk jemi mbledhur për këtë këtu; Të bëjmë një seancë tjetër për këtë punë; Ç’punë kemi ne me Greqinë; Pse flet ai për Greqinë?    -Po ti çfarë ke, nuk i the?   I thashë unë: “Provokimet ti i bën në emër të shovinizmit grek, ne jemi shqiptarë”. Unë jam në Parlamentin Shqiptar për të qarë hallet e mia. Ti ke hyrë dhe nuk do që të flasim për Greqinë. Ama, provokimet në emër të shovinizmit grek i sjell këtu në Parlament. I gjithë problemi ishte që të mos binim në apati. Është dëgjuar nga Zëri i Amerikës që një institut amerikan e mbështet nenin 13.    -A na ishte thënë shumë në kohën e regjimit për çamët?   Në mbledhjet e ngushta të Ministrisë së Jashtme kur e kam përmendur emrin e Çamërisë, më kanë thënë: Jo, jo, mos e zë me gojë! Kur Ballkani të bëhet si Skandinavia, le të bëhet dhe Shqipëria si Finlanda, por më parë të na bëhet Greqia Suedi. Por tani, a na është bërë Greqia Suedi që na kërkojnë neve të bëhemi Finlandë? Jo. Dhe mbyllja ka qenë me disa rreshta të një poezie. Në Parlament u votua që OMONIA të mos ishte parti. Pengesën më të madhe e kam pasur nga drejtuesi i seancës. Demokrati Aleksandër Meksi. Dhe përmendi atë argumentin që nuk kishte lezet: Kaloi koha… Unë i thashë se dua ta mbaroj, a ka ndonjë këtu në sallë që do të më japë nga koha e vet? Ishte Xhelil Gjoni. Dhe u votua që OMONIA të mos ishte parti. Kur dy parti si macja me miun bashkohen, duhet të mbajnë një qëndrim të përbashkët që i intereson çështjes shqiptare. Deri më sot nuk e kanë bërë.    -Greqia, që kur u shpall e pavarur e deri më sot e ka trefishuar territorin e saj dhe akoma kërkon që të zgjerohet…   Kryetari i Parlamentit, Kastriot Islami, që nuk e drejtoi seancën, ishte në Strasburg, kur u kthye erdhi duke turfulluar: Na kanë sharë, duhet të gjejmë një mënyrë për ta zbutur. Po kështu edhe kryetarët e partive të mëdha. Ajo që më erdhi keq mua ishte se në këtë lojë të pahijshme u përfshi edhe Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Kam bërë një artikull me 6 pika ku hedh poshtë pretendimet e forumit.    -Ata ia dolën se ia arritën të bënin partinë greke…   Si u bë partia greke? U bë me një shpejtësi të rrufeshme. Partia e të Drejtave të Njeriut. Po kalonte koha për të regjistruar subjektet elektorale, dhe e shpallën partinë menjëherë, e çuan në Ministrinë e Drejtësisë. Në ministri, ata po të donin e vononin dhe mbetej jashtë. Me shpejtësinë më të madhe e miratuan dhe e regjistruan. Gjykata e Lartë, Kushtetuesja, Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut kërkuan që të bëhej një amendament i ligjit. Duhej të mblidhej Parlamenti, thonin se duhej Gjykata e Lartë, por nuk mund të mblidhej se nuk kishte kompetenca kushtetuese. Unë jam sulmuar shumë, se tani na kundërshtove OMONIA, tani ajo ka të drejtë të veprojë në të gjithë Shqipërinë. Ju thashë se asgjë nuk ka për të ndodhur. Dhe sot Partia e të Drejtave të Njeriut vetëm një deputet ka. Dhe sot minoritarët grekofonë më shumë përfaqësohen nëpërmjet PD dhe PS se sa nga PBDNJ.    -Çfarë ndodhi pas 2 Shkurtit?   Grekët u zemëruan shumë. Në ’94 ndodhi Masakra e Peshkopisë. Këtu kemi parasysh edhe deklaratën e Micotaqis që thoshte: Çfarë të kërkoni ju për Kosovën, duam edhe ne për minoritarët.   -Z. Baleta, keni qenë të parët që keni mbështetur Ina Ramën kur u zgjodh. Për hir të së vërtetës nuk doli siç pritej.    Edhe unë, si ti i zhgënjyer jam nga ajo që thamë më përpara. Edhe sot dëgjova pak debate. Secili në llogoren e vet. Më 21 Janar ishte demonstrata e dhunshme për të përzënë qeverinë apo ishte një kalim paqësor për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë, të cilëve forcat e rendit iu përgjigjën me dhunë. Pra, janë 2 variante. Këtë duhet të ndajnë, çfarë ishte 21 Janari? Nëse 21 Janari pranohet nga prokuroria dhe gjykata se ishte një kalim paqësor dhe forcave të rendit i iku mendja dhe përdorën armët, atëherë duhet të fokusohet analiza dhe hetimi te qeveria. Nëqoftëse këtu pranohet se ishte një marshim me objektiv që Sali Berishën do ta nxjerrim nga Kryeministria me këmbët e veta dhe të ecte mbi kufoma, atëherë duhet të themi që forcat e rendit e kryen apo jo detyrën. Këtu, prokurori ka argumentet e veta, avokati të vetat e kështu mund të vazhdojë… Unë nuk pres ndonjë gjë. Pas një viti përzihet përsëri çorba. Fryma e listës civile shpërthen. Lufta e klasave është si prushi nën hi, pastaj se kush i hedh benzinë dhe i vë flakën. Këto ditë është hedhur benzinë. Ajo që quhet kultura e mosndëshkimit të krimit është me vend. Bëj çfarë të duash në Shqipëri, se asgjë nuk të ndodh. Jam dakord me atë që thuhet, po nuk u hetua deri në fund 21 Janari nuk ka për të pasur drejtësi. Po si na dilka që 21 Janari nuk është më shumë se ’97-ta? Sa veta u vranë? Sa u dogjën? Po ato që u dogjën në ’91? Po ato që u dogjën në Pukë si minjtë? Sa shkatërrime u bënë në ’91? Në Shqipëri ndodh kështu sepse asnjëherë nuk bëhet ajo që duhet bërë. Kur ka krim ka edhe një shkak. Policia mund t’i ketë kaluar kompetencat, por jo ta bësh këtë qendroren. Arvizu ka bërë një artikull ku ka thënë se Shqipëria po kalon situatën e 1914. Zotëri, kryeni punën tuaj dhe mos kujtoni se shqiptarët nuk kanë sy e veshë. Edhe ne dimë të bëjmë krahasime, analogjia. Këtë e kam quajtur analogjia ambasadoriale. 1914 është vit i mbrapshtë dhe ju po bëni analogji. Kush e ka përgjegjësinë? Dhe kur bëni analogji do të thotë se faktorit ndërkombëtar i ka ardhur aq shumë në majë të hundës saqë do të marrin masa. Çfarë ndodhi në atë kohë? Nga politika hoqën Ismail Qemalin, Esat Toptanin, u vra Preng Bib Doda. Dhe në atë artikull kam shkruar: Radha kujt i ka ardhur tani? Analogjia ka edhe një paralajmërim brenda. Mos ndoshta forcat e huaja duan që Shqipëria të hyjë në një kaos si gjatë Luftës së Parë Botërore?    – See more at: http://www.sot.com.al/politike/abdi-baleta-si-e-futi-ramiz-alia-omonia-n-n%C3%AB-zgjedhjet-e-%E2%80%9891-vizita-e-thoma-mi%C3%A7os-n%C3%AB-mosk%C3%AB#sthash.KcCld4lO.dpuf

bobi
Nga bobi February 9, 2016 13:11
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*