Si, ne shqiptarët jemi tallur me Historinë, prandaj Historia tallet me ne

bobi
Nga bobi December 23, 2015 23:40

Si, ne shqiptarët jemi tallur me Historinë, prandaj Historia tallet me ne

1486717_630197200372421_295874933_n

Historia (fjalë që duhet shkruar me të madhe) ka ligjet e veta të pashkruara, ashtu si ligjet e pashkruara të lëvizjes në hapësirë. Nëse jeni duke lëvizur me automjet dhe dëshironi të ecni drejt, atje ku ka greminë ose mal, duhet të ndryshoni kahje, ose të ndaleni dhe të ndërtoni një urë, ose tunel, ndryshe do të përfundoni keq nëse vazhdoni të ecni drejt. Ne shqiptarët, më pak se tre dekada pas përfundimit të pushtimit otoman, nisëm një lëvizje politiko-shoqërore që duhet të na çonte në komunizëm. Ose së paku këtë lëvizje e nisën dhe e kryen pjesa më energjike dhe aktive e jona e asaj kohe, që ishin komunistët dhe mbështetësit e tyre. Kjo lëvizje ishte njëjtë si të rrotulloje timonin për ta çuar automjetin në greminë, duke imagjinuar se mbi të kishte një urë që në fakt nuk ekzistonte në realitet. Këtë e them sepse sipas doktrinës komuniste, që një vend të shkonte në komunizëm, duhet të kalonte në fazën e ndërmjetme, të socializmit. Por, sipas etërve të komunizmit shkencor, Marksit dhe Engelsit, socializmi mund të ndërtohej vetëm në vendet e zhvilluara industriale, dhe si në kohën e klasikëve të doktrinës komuniste, ashtu dhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore, të tillë ishin disa vende europiane dhe SHBA. Që një vend të kalonte në rendin socialist, duhej që ai më parë të bëhej një vend kapitalist i zhvilluar.
Sipas etërve të doktrinës komuniste, që një vend të kalonte në fazën e kapitalizmit të zhvilluar, duhej që ai të bënte dy revolucione shoqërore antifeudale: një revolucion fshatar dhe një revolucion borgjez. Komunistëve shqiptarë, iu duhej pra që, për të legjitimuar revolucionin e tyre, t’ i gjenin këto dy revolucione paraardhëse në historinë e shkurtër prej tre dekadash të shtetit të ri shqiptar, para ardhjes së tyre në pushtet. Kjo çështje teorike ishte aq e bezdisshme saqë komunistët shqiptarë nuk u morën fare me të në mbledhjen themeluese të partisë së tyre në 1941. Vetëm më vonë, kur komunistët kishin ardhur tashmë në pushtet, Enver Hoxha e zgjidhi këtë problem, duke treguar shumë fantazi. Ai e quajti rebelimin e Haxhi Qamilit në 1914 si revolucionin fshatar në Shqipëri dhe trazirat e vitit 1924 i quajti revolucion demokratiko-borgjez. Vetë ata që kishin bërë lëvizjen e vitit 1924 nuk e paskëshin ditur këtë gjë, pra se çfarë ishin duke bërë.
Por ky manipulim teorik nuk e ndihmonte dot Enver Hoxhën për të ndryshuar realitetin shoqëror-ekonomik në Shqipëri, që ishte i një vendi të pazhvilluar, ku nuk mund të ndërtohej socializmi. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, i pari mësues pa diplomë universitare dhe i dyti traktorist, sajuan një tjetër manipulim teorik. Në 1960 u shpall ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit në Shqipëri. Me këtë u kuptua shtetëzimi i pjesës më të madhe të pronës dhe veprimtarive ekonomike në vend, si në qytet ashtu dhe në fshat. Në 1976, me Kushtetutën e re, Shqipëria u shpall “republikë popullore socialiste”, që duhej kuptuar se tashmë quhej i ndërtuar socializmi në vend dhe se vendi kishte hyrë në periudhën përfundimtare, atë të ndërtimit të komunizmit. Në realitet kjo do të thoshte se udhëheqësi e drejtonte “automjetin” e shtetit, me shpejtësi të shtuar, në greminat dhe shkëmbinjtë e Historisë, duke iu thënë shqiptarëve se atje kishte ura dhe tunele imagjinare. Dhe kështu “automjeti” i shtetit pasi u përplas në shkëmbinj ra në humnerë. Shkurt, shqiptarët u tallën me Historinë, prandaj Historia u tall me ta. Eksperimenti shoqëror i nisur në 1941, përfundoi në 1990 në mënyrë tragjikomike.
Pas vitit 1990 ne shqiptarët shpallëm se do të ndërtojmë shoqërinë demokratike, shtetin ligjor dhe ekonominë kapitaliste. 25 vite më pas është e qartë se kemi dështuar në këtë sfidë. Arsyeja kryesore është se ne përsëri u tallëm me Historinë. Ne kërkojmë të ndërtojmë institucione të një shteti ligjor dhe shoqërie demokratike dhe befas shohim se kemi ndërtuar një shoqëri feudale mesjetare të përshtatur me kohën e sotme, ku politikani, qeveritari, deputeti, gjykatësi, prokurori, shefi i policisë, doganieri, profesori në universitetin publik, mjeku në spitalin publik etj., e shohin detyrën që mbajnë si pronën e tyre feudale, që mund të shpërdorohet për të nxjerrë fitime të kundërligjshme. Të njëjtën gjë e bëjnë drejtuesit e OJF-ve, pronarët e televizioneve dhe gazetave. Dhe kështu befas ne shqiptarët shohim se jemi shndërruar praktikisht në një shoqëri aristokratike, ku një grupim shoqëror, ata që duhet të ishin nëpunës publikë, pavarësisht nëse janë qeveritarë ose mjekë, gjykatës ose profesorë, janë shndërruar në aristokratë, një një kastë të privilegjuar në mënyrë të kundërligjshme.
Kështu që ne shqiptarët tani gjendemi në një realitet sui generis, që iu rezervohet kombeve që tallen me Historinë. Në këtë realitet që i ngjan teatrit absurd, ne shqiptarët gjendemi në situatën e francezëve të para revolucionit të shekullit XVIII. Pra, ne shqiptarët duhet të bëjmë një revolucion antiaristokratik. Dhe meqënëse “aristokratët” tanë janë edhe më të këqinj se ata francezë të cilëve Revolucioni i vitit 1789 ua preu kokat masivisht në gijotinë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të vendosim Gijotinën, makinën e prerjes së kokave në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të vendit. “Aristokratëve” tanë mund të mos u pritet koka nëse heqin dorë vetë nga statusi i tyre i privilegjuar, dhe paguajnë në thesarin publik një shumë varësisht dëmit që kanë bërë. Ndryshe duhet të paguajnë me të dyja, me pronën dhe me kokën. Dhe jo vetëm, por familjarisht. Ashtu si aristokratët francezë.
Ne nuk jemi kombi i vetëm e ka paguar shtrenjtë talljen me Historinë. Amerikanët u tallën me Historinë kur në Revolucionin e tyre të shekullit XVIII (luftën për pavarësi) injoruan ekzistencën e rendit skallavopronar në gjysmën e territorit të shtetit të ri. Historia i ndëshkoi me një luftë civile shumë të përgjakshme në mes të shekullit pasardhës.
Gjendja e një vendi mund të ndryshohet në dy mënyra, me revolucion, ose me reforma. Ne shqiptarët supozohet të kemi bërë së paku katër revolucione në shekullin XX: Revolucionin Fshatar në 1914, Revolucionin Demokratiko-Borgjez në 1924, Revolucionin Komunist në 1944 (Enver Hoxha nguroi shumë për t’ i gjetur një emër dhe më në fund e quajti “revolucion popullor”), Revolucionin Demokratik në 1990. Por, meqënëse asnjë prej këtyre nuk ka qenë revolucion i mirëfilltë, por thjesht tallje me Historinë, ne sot pas katër “revolucioneve” jemi në këtë gjendje kur kemi nevojë për një revolucion të vërtetë. Enver Hoxha dikur thoshte se “Revolucioni është një çështje e shtruar për zgjidhje.” Ai e kishte fjalën për revolucionin komunist botëror, jo për ndonjë revolucion në Shqipëri, ku e quante të kryer revolucionin. Sot revolucioni është një çështje e shtruar për zgjidhje në Shqipëri. Gjatë një çerekshekulli, në periudhën paskomuniste, në Shqipëri janë bërë reforma të pafundme. Çdokush që vjen në pushtet flet për reforma, nis një periudhë reformash. Në këto momente Shqipëria ka hyrë në një periudhë reformash. Por vlera e reformave, njihet nga rezultatet e tyre.
Enver Hoxha, në 1966, pati kurajën që të pranonte tërthorazi se revolucioni për të cilin mëtonte se ishte kryer në Shqipëri në 1944, në realitet ishte një gjë e dyshimtë. Prandaj Enver Hoxha foli befasisht në 1966 për revolucionarizmin e gjithanshëm dhe të të thellë të jetës së vendit. Domethënë, 22 vite pas revolucionit, Enver Hoxha foli për një revolucion të ri. Kur revolucionarët flasin për një revolucion të ri, kjo do të thotë se revolucioni i parë ka qenë i rremë. Sepse pas një revolucioni të suksesshëm duhet të ketë vetëm reforma dhe jo një revolucion të ri, së paku jo për të njëjtën kauzë. Enver Hoxha vdiq duke spekuluar me fjalë për t’ i paraqitur të dy revolucionet, atë të vitit 1944 dhe atë të vitit 1966, si vazhdim i natyrshëm i njëri-tjetrit. Por nuk mund të bëhen dy revolucione në një jetë njerëzore. Shkurt, shqiptarët mësuan se nuk kishte përfunduar ende revolucioni që supozohej të kishte triumfuar në 1944. Kjo do të thoshte se Komunizmi, ëndrra utopike që iu ofrohej shqiptarëve si karrem, ishte ende shumë larg.
Unë linda në 1966, në vitin që Enver Hoxha pranoi tërthorazi dështimin e atij që ai e quante revolucioni kryesor i kryer prej tij, revolucionit të vitit 1944. Unë u rrita në kohën e Revolucionit të Dytë. Në 1990 Revolucioni Komunist Shqiptar pranoi publikisht dështimin në ndërmarrjen më ambicioze të tij, ekonominë e vendit. Por nuk pati një revolucion antikomunist për të përmbysur rendin politik-shoqëror-ekonomik. Ndryshimi, për aq sa ndodhi, erdhi me reforma të kryera nga vetë shteti komunist. Pluralizmi politik erdhi me një vendim të Komitetit Qendror të partisë komuniste (Partia e Punës). As këtë herë shqiptarët nuk bënë një revolucion. Kështu reformat që nisën pas vitit 1990 u bënë vazhdim i një revolucioni të rremë dhe kjo është zanafilla e problemit që kanë shqiptarët sot. Nuk mund të ketë reforma të vërteta dhe të suksesshme, që janë vazhdim i një revolucioni të rremë dhe të dështuar. Reformat e vërteta dhe të suksesshme nuk mund të jenë veçse vazhdim i një revolucioni të vërtetë dhe të suksesshëm.
Që nga viti 1990 ne shqiptarët jemi duke kërkuar të zgjidhim me reforma një problem që nuk mund të zgjidhet veçse me revolucion. Kjo është zanafilla e lëmshit të ndërlikuar të problemeve të çdo lloji që ne kemi sot. Unë sot jam 49 vjeç dhe e kam kaluar gjysmën e parë të jetës sime në një periudhë zyrtare revolucionare dhe gjysmën e dytë në një periudhë zyrtare reformash. Në fakt, si revolucioni, ashtu dhe reformat, kanë qenë të rreme.
Ne kemi nevojë për nje revolucion që do të pasohet me reforma. Ky do të jetë revolucioni i parë në historinë e shtetit shqiptar, madje në historinë e kombit shqiptar. E ardhmja e Shqipërisë varet nga fakti se sa shqiptarët do të jenë të aftë ta bëjnë këtë revolucion. Ne shqiptarët kemi derdhur shumë gjak në revolucione të rreme. Le të derdhim një herë gjak në një revolucion të vërtetë. Kështu ne shqiptarët do ta respektojmë Historinë dhe ajo do të na respektojë ne. Nëse nuk e bëjmë këtë Historia do të vazhdojë të tallet me ne. Historia ka durim të pafundmë, sepse ajo është sinonim i përjetësisë./Kastriot Myftaraj

bobi
Nga bobi December 23, 2015 23:40
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*